Korrupsioni mbaron me ndihmën tuaj...

0800 10 800

Thirrjet janë pa pagesë, konfidenciale dhe të besueshme!

RAPORTO TANI:

922 - Lajmi_i_plote | AKK

Lajmet

Lajmet


24 September 2009

AKK thërret institucionet të jenë vigjilente në verifikimin e dokumentave të ofertuesëve ekonomik

PRISHTINË, 23 SHTATOR 2009 - Agjencia Kosovar kundër Korrupsionit gjatë hetimeve të ndërmarra për rastet e dyshuara si veprime korruptive, ka hasur në dukurinë e falsifikimit të dokumentacionit nga disa operator ekonomik gjatë pjesëmarrjes në procedurat e tenderimit dhe si rrjedhojë në shumë raste, këta ofertues kanë arritur të jenë fitues të disa tenderëve. Agjencia ka siguruar prova të mjaftueshme për argumentimin e këtyre rasteve dhe informatat e tilla janë përcjellë në prokuroritë kompetente për procedim penal të mëtutjeshëm.

Duke pasur parasysh se rastet e tilla po marrin përmasat e dukurisë shqetësuese, AKK u bënë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe ato lokale që të demonstrojnë vigjilencë gjatë procesit të selektimit të ofertuesve ekonomike në raport me përgjegjshmërinë e tyre dhe verifikimin e origjinalitetit dhe validitetit të dokumentacionit me të cilët marrin pjesë në procedurat e tenderimit.

Një verifikim i tillë i origjinalitetit dhe validitetit të dokumentacionit të ofertuesve nuk kërkon shumë kohë që të realizohet dhe e njëjta mund të bëhet brenda ditës me një bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës ATK e cila është kompetente për lëshimin e këtyre dokumenteve. Ndërmarrja e një veprimi të tillë nga ana e institucioneve të cilat merren më realizimin e procedurave të tenderimit do të ndikonte shumë në eliminimin e shkaqeve të korrupsionit.

AKK, tërheq vërejtjen se veprimet e tilla ngufasin rënd konkurrencën e lirë dhe të ndershme që është element kyç i kultivimit të transparencës dhe po ashtu i shkaktojnë dëme të ndjeshme Buxhetit të Kosovës dhe ndikojnë në dobësimin e besueshmërisë së institucioneve përballë taksapaguesve.

AKK, shpreh fuqimisht vendosmërinë për luftimin e veprimeve të këtyre operatorëve mashtrues deri në shmangien e tërësishëm të tyre nga çfarëdo procesi tenderues nga i cili burim i përfitimit financiar është paraja publike.

Nga ana tjetër, AKK u rekomandon të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që operatorët ekonomik të cilëve u verifikohen dokumentacionet si jo valide me një herë ti fusin në listën e zezë dhe të fillojnë procedurat e ndjekjes penale.

Kthehu tek lajmet tjera