Korrupsioni mbaron me ndihmen tuaj

0800 10800 thirrjet jane pa pagese, konfidenciale dhe te besueshme

Lajmet

05 Tetor 2018

KOSOVA NIKOQIRE E KONFERENCËS RAJONALE KUNDËR KORRUPSIONIT

Prishtinë, 5 tetor 2018 – Dje dhe sot në Prishtinë janë zhvilluar punimet e Konferencës dyditore kundër korrupsionit, nikoqire e të cilës ishte Agjencia Kundër Korrupsionit. Në Konferencë marrin pjesë drejtues të institucioneve përkatëse nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Turqia, ekspertë nga organizata të specializuara ndërqeveritare (UNDOC, OECD, UNDP), si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Në hapjen e punimeve të Konferencës mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, z. Hashim Thaçi, Kryesuesja e Komisionit parlamentar për legjislacione, imunitete, mandate dhe mbikëqyrje të Agjencisë Kundër Korrupsionit, znj. Albulena Haxhiu., Përfaqësuesja Speciale BE-së në Kosovë dhe shefat e misioneve diplomatike në Kosovë.



Nikoqiri i Konferencës, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit z. Shaip Havolli, tha se një forum ky shërben shumë jo vetëm në shkëmbimin e përvojave, por edhe në krijimin e një fryme më të fuqishme kundër korrupsionit përmes bashkëpunimit rajonal. “Kam kënaqësinë që në këtë Konferencë kemi arritur të sjellim bashkë drejtues të institucioneve anti-korrupsion nga i gjithë rajoni, si dhe ekspertë të shquar të kësaj sfere nga Europa dhe më gjerë” tha z. Havolli në fjalën e tij të mirëseardhjes. Ambasadori i Zvicrës në Kosovë z. Jean-Hubert Lebet, qeveria e të cilit bashkë me qeverinë e Danimarkës janë një mbështetëse e vazhdueshme e Agjencisë Kundër Korrupsionit, vuri theksin te mbështetja e pamjaftueshme ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit gjë që ka krijuar një mjedis të përshtatshëm për korrupsion.

“Është e rëndësishme që të mbrohet reputacioni i zyrtarëve duke ruajtur sistemin anti-korrupsion në mënyrë që të largohen mollët e kalbura” tha Ambasadori Lebet duke shtuar se Kosova duhet të kapë ritmin e shteteve të tjera. Konferenca Rajonale Kundër Korrupsionit është e para këtij formati që organizohet në Kosovë dhe synon që të bëhet tradicionale përmes miratimit të një Deklarate të Përbashkët në përmbyllje të punimeve.

Përgjatë dy ditëve Konferenca ka trajtuar tema që ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal dhe politikat specifike kombëtare dhe ndërkombëtare në luftimin e korrupsionit, deklarimin dhe mbikëqyrjen e pasurisë së zyrtarëve e lartë shtetërorë, parandalimin e konfliktit të interesit dhe integritetin e institucioneve publike, prokurimin elektronik dhe monitorimin e tij, metodologjinë e kontrollimit të legjislacionit, strategjitë kombëtare kundër korrupsionit, shkëmbimin ndërshtetëror të informacioneve Ekspertë nga Italia, Sllovenia, Gjeorgjia, Kroacia dhe Bullgaria do të paraqesin ekspozetë e tyre që do të vihen për diskutim gjatë seancave plenare të Konferencës.

Në përmbyllje të Konferencës, Drejtori Havolli i ka ndarë një Letër Mirënjohjeje ekspertit nga Sllovenia z. Drago Kos për kontributin e tij të çmuar në funksionalizimin e Agjencisë dhe formësimin e legjislacionit anti-korrupsion në Kosovë.