''KJO FAQE ËSHTË E ARKIVUAR DHE NUK AZHURNOHET MË. FAQJA E RE ZYRTARE E AGJENCISË PËR PANADALIMIN E KORRUPSIONIT ËSHTË www.apk-rks.net.
JU LUTEMI KLIKONI KËTU PËR TË VIZTUAR FAQEN E RE.

925 - Lajmi_i_plote | AKK

Lajmet

Lajmet


09 December 2009

Integriteti dhe transparenca e bëjnë Kosovën vend me shoqëri të sinqertë (Mesazhi i drejtorit të AKK-së z.Hasan Preteni në ditën nderkombetare kunder korrupsionit)

Shkruan: Hasan Preteni 
PRISHTINË, 9 dhjetor 2008 - Nëntë dhjetori është caktuar nga Kombet e Bashkuara si Dita ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe, padyshim, se të gjitha shtetet demokratike në mbarë rruzullin tokësor e shënojnë këtë ditë në forma të ndryshme.

Kjo ditë si shënim jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare nuk ka një histori të gjatë, pra shënohet që nga viti 2003. Kosova e shënon këtë ditë që nga viti 2006, që kur u themelua Agjencia Kundër Korrupsionit.
Pra, janë katër vite që ne si institucion dhe si shoqëri, në këtë datë, me plotë fuqinë tonë ripërsërisim shqetësimin për nivelin e korrupsionit në vend dhe po ashtu bëjmë thirrje për një betejë më të madhe, për një kulturë dhe frymë më të mirë të menaxhimit të parasë publike.


Qëndrimet e shoqërisë kosovare karshi korrupsionit po ndryshojnë!
Jemi shumë të lumtur që ato ndryshime janë pozitive. Si kurrë më parë shoqëria kosovare po i demonstron shenjat e jotolerancës karshi këtij fenomeni shkatërrues. Kjo nga fakti se është kuptuar thellësisht se prezenca e këtij fenomeni është bërë pengesa më e madhe e zhvillimit dhe progresit të vendit në përgjithësi. Si rrjedhojë zhvatja e parasë publike për përfitime personale dëmton sundimin e ligjit dhe kjo mund ta rrezikojë sigurinë, minon zhvillimin ekonomik, ngulfat transparencën, motivon kulturën e vjedhjes, ndërsa rëndë dëmton imazhin e vendit.

Por, korrupsioni nuk duhet shikuar si fuqi e mbrojtur në mënyrë hermetike. Te ne ky fenomen është rezultat i veprimeve personale apo edhe të një grupi të caktuar, i motivuar nga lakmia. Kjo do të thotë se ky fenomen mund të grushtohet pa pasur asnjë frikë nga pasojat.


Për fat të mirë edhe në Kosovë ka mekanizma të cilët e luftojnë këtë dukuri. Megjithatë, është nevojë imediate që të funksionojë në mënyrën më të mirë zinxhiri institucional i të gjithë atyre që kanë marrë detyrën ta grushtojnë dhe luftojnë këtë fenomen. 
Padyshim se rezultatet do të jenë shumë të mira!


Një optimizëm shtesë vjen edhe nga fakti që tani Kosova ka nxjerrë Strategjinë dhe Planin e veprimit kundër korrupsionit, dokumente këto të cilat u kanë dhënë shumë detyra të gjithë sektorëve, si publik ashtu edhe privat, për t'i përmbushur ato.
Mbetet që secili institucion dhe sektor të demonstrojë përkushtimin e tij të sinqertë në përmbushjen e detyrave të zotuara në Strategjinë dhe Planin e veprimit.

Ndjenja e mirë për tregim të suksesshëm në fund të vitit 2011 duket se po hetohet! 
Sot është një rast i këndshëm për mua, t'i përcjell falënderimet më të përzemërta për të gjithë ata njerëz që demonstruan trimërinë e tyre qytetare për të bashkëpunuar me Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, ku kanë dhënë një kontribut të çmuar në përpjekjet tona drejtë fuqizimit të ligjit.


Beteja kundër korrupsionit është betejë vendimtare për shoqërinë kosovare. Gjatë gjithë këtij viti ne nuk kemi qëndruar duarkryq, por nuk jemi të prirur për vetëkënaqësi, pasi që një rrugë e gjatë dhe e mundimshme është para nesh. 
Prandaj, ne duhet të përballemi dhe të luftojmë me vendosmëri të keqen, atë që e varfëron jetën tonë, atë që pengon aspiratën tonë për anëtarësim në strukturat euro-atlantike, atë që e rrënon të ardhmen tonë - dhe që është korrupsioni. 
Në këtë drejtim të gjithë e kemi një pjesë të hapësirës për të luajtur rolin tonë qytetar dhe institucional.


Në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit është e rrugës që të gjithë ta bëjmë nga një premtim: Të premtojmë se do të ketë procedura të rregullta të tenderimeve, që të ketë objektivitet dhe ndershmëri në përzgjedhjen e operatorëve ekonomik si ofertues të tenderëve; që mos të ketë dhënie as marrje të ryshfeteve dhe që të ketë transparencë dhe integritet personal dhe institucional.
Realizimi i këtyre premtimeve do ta bëjnë Kosovën vend me shoqëri të sinqertë dhe do t'i rriste shanset për progres, ambient dhe jetë më të mirë për fëmijët tanë.

Ky artikull eshte botuar ne forme editoriali ne te perditshmen Koha Ditore

(Autori është drejtor i Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit)

Kthehu tek lajmet tjera