''KJO FAQE ËSHTË E ARKIVUAR DHE NUK AZHURNOHET MË. FAQJA E RE ZYRTARE E AGJENCISË PËR PANADALIMIN E KORRUPSIONIT ËSHTË www.apk-rks.net.
JU LUTEMI KLIKONI KËTU PËR TË VIZTUAR FAQEN E RE.

59890 - Lajmi_i_plote | AKK

Lajmet

Lajmet


13 July 2022

Agjencia kundër Korrupsionit në Kosovë shkëmben përvojat me përfaqësues të Zyrës Qendrore për Luftën kundër Korrupsionit dhe Kundërvajtjet Financiare dhe Tatimore si dhe Prokurorinë e Shtetit për çështje Financiare në Gjykatën e Parisit

Në kuadër të takimeve me udhëheqës të institucioneve relevante për parandalimin dhe luftimin e Korrupsionit,  delegacioni i Agjencisë kundër Korrupsionit në ditën e dytë realizoj edhe dy takime.

Në takimin e katërt, delegacioni i AKK, u prit në takim nga Sandrine Desliard, Komisare e Policisë dhe  Zëvendës Shefe e Zyrës Qendrore për Luftën kundër Korrupsionit dhe Kundërvajtjet Financiare dhe Tatimore (L'Office central de lutte contre la corruption et les infractions financières et fiscales ) e cila paraqiti rolin që ka zyra përgjegjëse në luftimin e korrupsionit dhe hetimin e rasteve korruptive dhe bashkëpunimin me Prokurorinë Publike që ka Zyra Qendrore për Luftën kundër Korrupsionit dhe Kundërvajtjet Financiare dhe Tatimore.

Komisarja e Policisë, Sandrine Desliard, diskutoi me Drejtorin e AKK-së, Yll Buleshkaj edhe për mënyrën e organizimit të institucionit, duke theksuar se i njëjti institucion gëzon besueshmëri të lartë në publik, ndërsa bashkëpunimi me mediat kredibile ndihmon institucionin në zbulimin e rasteve të korrupsionit. 

Në anën tjetër Drejtori i AKK-së, ndër të tjera, foli edhe për transparencën dhe llogaridhënien e AKK-së në raport të komunikimit me mediat dhe organizata Jo-Qeveritare dhe theksoi se në vitin 2022, nëpërmjet bashkëpunimit me mediat AKK ka trajtuar rreth 30 raste në raport me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, të lidhura me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, deklarimin e pasurisë dhe parandalimin e konflikti të interesit.

 

Në kuadër të vizitës zyrtare në Paris, takimi i fundit u realizua me përfaqësues të Prokurorisë  së Shtetit për çështje Financiare/Gjykata Gjyqësore e Parisit (Le parquet national financier), Emmanuelle Fraysse, Sekretare e Përgjithshme në Prokurorinë e Shtetit Financiar.

Përfaqësuesit nga Prokuroria e Shtetit, njoftuan se institucioni ka filluar funksionimin e plotë në vitin 2013  dhe ka juridiksion të  veprojnë në tërë territorin e Francës, ndërsa përbëhet nga  prokurore dhe  ekspertë  të hetimeve, ndërsa prioritet i institucionit është forcimi i integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij institucioni.

Përfaqësuesit nga Prokuroria e Shtetit, diskutuan në takim edhe për mënyrën e organizimit të komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm në raport me trajtimin e rasteve korruptive, ndërsa, në relacion me komunikimin e jashtëm theksuan se informatat publikohen duke mos penguar procesin e hetimeve, ndërsa hetimet mund të nisin edhe nga lajmet e publikuara në media.

Në takimin me përfaqësuesit e Prokurorisë së Shtetit Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, paraqiti para pjesëmarrësve metodologjinë e hetimit të rasteve korruptive nga AKK-ja si dhe procedimin e rasteve në Prokurorinë e Shtetit. Në raport me procesin e hetimeve, Buleshkaj tha se prioritet i AKK-së është avancimi i procesit të hetimeve për të siguruar sa më shumë informata dhe fakte për rastet të cilat dërgohen në Prokurorinë e Shtetit.

Drejtori i Departamentit për Luftimin e Korrupsionit në AKK, Blerim Kelmendi duke falënderuar institucionin mikpritës theksoi që ‘’qasja e AKK-së në praktika ndërkombëtare na mundëson avancimin e mëtutjeshëm për zhvillimin e kapaciteteve tona si Agjenci, po ashtu dhe përmirësimin e cilësisë së kontributit tonë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave kundër korrupsionit në Kosovë.”

Gjatë takimeve të zhvilluara në Francë, përfaqësuesit e  institucioneve ofruan gatishmërinë për bashkëpunim me Agjencinë kundër Korrupsionit në Kosovë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave kundër korrupsionit në Kosovë.

Vizita zyrtare në Francë, e iniciuar nga Ambasada Franceze në Kosovë u organizua me qëllim të shkëmbimit të përvojave me institucionet homologe në Francë duke marrë për bazë nevojën  e shkëmbimit  të përvojave me institucionet homologe me rastin e ndryshimeve në strukturën dhe fushëveprimin e AKK-së, pas plotësimit dhe ndryshimit të Ligjin për AKK-në dhe Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

Kthehu tek lajmet tjera