''KJO FAQE ËSHTË E ARKIVUAR DHE NUK AZHURNOHET MË. FAQJA E RE ZYRTARE E AGJENCISË PËR PANADALIMIN E KORRUPSIONIT ËSHTË www.apk-rks.net.
JU LUTEMI KLIKONI KËTU PËR TË VIZTUAR FAQEN E RE.

1171 - Lajmi_i_plote | AKK

Lajmet

Lajmet


09 December 2014

Mesazhi i Drejtorit te AKK-ë z. Hasan Preteni me rastin e Ditës Ndërkombëtare kunder Korrupsionit

Së bashku kundër korrupsionit! 

Shkruan: Hasan Preteni

Viti 2014, nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar në luftën kundër korrupsionit. Raporti i Transparency Internacional dhe Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian janë sinjal jo i këndshëm për Kosovën që tregon se ne, gjatë vitit të ardhshëm duhet të jemi shumë më aktiv për të dhënë një pasqyrë më të favorshme për ne. 

Nëse kthehemi në retrospektiv për atë që është bërë gjatë këtij viti kemi të bëjmë me dy gjëra. Njëra që mund të lavdërohemi dhe tjera që jep sinjale zhgënjyese. E para ka të bëjë me fushën e parandalimit, dhe siç dihet, në këtë rrafsh gjërat janë rregulluar më mirë. Legjislacioni dhe komplet sistemi i fushës së deklarimit të pasurisë dhe i Konfliktit të interesit janë rregulluar, ndërsa tani jemi duke ecur mbarë drejtë avancimit sa më të lartë . Por fusha e luftimit të Korrupsionit akoma ka mbetur problematike nga fakti që këtë vit kemi pasur një numër të vogël të ngritjes së aktakuzave nga ana e autoriteteve kompetente e aq më keq edhe shqiptime të dënimeve. 

Sado që gjatë këtij viti ka pasur ndjekje ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, zyrtarëve të Agjencive të pavarura (Agjencisë së privatizimit) zyrtarëve të mekanizmave që rregullojnë fushën e prokurimit, por rezultatet akoma janë të padukshme. Në shenjë “karikimi” mund të hipotizojm se ndoshta kjo si rrjedhojë e faktit që disa anëtar të stafit prokurorial dhe gjyqësor janë të stërngarkuar edhe me punë të tjera ( kryesisht nëpër Universitete private) dhe nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme të merren efektshëmrisht me rastet që do të ndikonin në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Thënë të drejtën nuk di ndonjë vend ku prokurorët dhe gjyqtarët mbajnë edhe dy apo tre vene të punës nëpër biznese private ashtu si këtu në Kosovë. Dhe kjo praktik besojë se duhet të eliminohet, për faktin se një prokuror ose gjyqtar nuk mund të ketë integritetin profesional në rast se ka të hapura edhe “tezga” tjera të punës. Pra për të garantuar efektshmëri dhe integritet profesional prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të angazhuar 
vetëm në marrëdhënien e punës brenda sistemit shtetëror të drejtësisë për çka edhe japin betimin. 

Në këtë ditë ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të sinjalizoj elemente optimizmi se përkundër problemeve që përmenda me lartë institucionet kosovare duke përfshirë edhe Presidenten e Republikës së Kosovës kanë vënë zotime të nënshkruara në një Kartë Përkushtimi se do ta japim maksimumin në drejtim të përmirësimit të gjendjes aktuale. Nënshkrimi Kartës së Përkushtimit sado që mund të duket simbolike, megjithatë demonstron vullnetin e të gjitha institucioneve nënshkruese të saj se ato nuk pajtohen me gjendjen aktuale dhe se zotohen skajshmërisht në ndryshimin e saj. 

Për shkak të situatës politike shumë institucione kanë mbetur pa udhëheqës të tyre dhe ndërmarrjet publike pa borde. Jam optimistë se fillimi i vitit do të gjejë institucione të reja të konsoliduara, me zyrtarë të dëshmuar në angazhimet kundër korrupsioni, si dhe fillimin e procesit për avancimin dhe kompletimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Por jo vetëm kaq, - Është thelbësore për një shoqëri që të ketë institucione me integritet të lartë llogaridhënëse dhe transparente që respektojnë barabarësinë që është vlerë e demokracisë. 

Agjencia kundër Korrupsionit, do të vazhdoj të kryejë misionin e saj të përcaktuar me ligj dhe nuk do të ndalemi s ‘kërkuari ndihmën e publikut që të jetë pjesë e përbashkët e angazhimeve tona drejtë fuqizimit të një sistemi llogaridhënës dhe transparentë.

Motoja e Kartës së Përkushtimit që është e nënshkruar nga Presidentja e Kosovës, dhe udhëheqësit e shtatë institucioneve tjera, Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Policisë së Kosovës, Drejtori i Doganave të Kosovës, Drejtori i Administratës Tatimore, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Drejtori i SHSKUK është “Së bashku kundër korrupsionit”, dhe kjo është thirrja më e duhur për vitin 2015! 

“Së bashku kundër korrupsionit”!

Kthehu tek lajmet tjera