Korrupsioni mbaron me ndihmen tuaj

0800 10800 thirrjet jane pa pagese, konfidenciale dhe te besueshme

Lajmet

05 Maj 2017

Diskutohen objektivat e strategjisë kombëtare kundër korrupsionit

Prishtinë, 5 maj 2017 - Agjencia Kundër Korrupsionit ishte nikoqire e takimit dy-ditor të Grupit Punues të cilit i është besuar detyra e  hartimit të strategjisë kombëtare kundër korrupsionit për periudhën pesëvjeçare 2018-2022 që në përbërjen e vet përfaqësohet nga një spektër i gjerë i institucioneve qendrore dhe lokale dhe shoqërisë civile.

Gjatë këtij takimi Grupi Punues është thënë se strategjia e re do të ndjekë strukturën e dokumentit paraprak dhe në vete do të ngërthejë objektiva të ndërthurur, por edhe objektiva  specifik në secilin sektor - sektorin politik, qeverisje lokale, administratë publike, sektorin e zbatimit të ligjit, organet e prokurimit publik dhe menaxhimit të financave publike.

Objektivat e Strategjisë janë formuluar në atë mënyrë që reflektojnë situatën faktike në Kosovë dhe në këtë kuadër Agjencia Kundër Korrupsionit paraprakisht ka konsultuar raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare si dhe strategjitë anti-korrupsion të shteteve të rajonit.

Strategjia Kundër Korrupsionit 2018-2022 në përmbajtjen e saj ka për synim të udhëheqë drejt forcimit të integritetit institucional, promovimin e vlerave të qeverisjes së mirë dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve karshi institucioneve të shtetit, dhe për këtë gjë kërkohet një bashkëpunim dhe bashkërendim ndërinstitucional, por edhe një rol më aktiv të organizatave të shoqërisë civile në hartimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të Strategjisë dhe planeve përcjellëse të veprimit.

Hartimi i Strategjisë Kundër Korrupsionit 2018-2022 realizohet edhe me mbështetjen teknike, profesionale dhe financiare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë dhe Këshillit të Komisionit Europian.