Korrupsioni mbaron me ndihmen tuaj

0800 10800 thirrjet jane pa pagese, konfidenciale dhe te besueshme

Lajmet

28 Prill 2017

AKK mban një cikël ligjëratash për nxënësit e shkollave të mesme

Prishtinë, 28 prill 2017 - Agjencia Kundër Korrupsionit ka mbajtur një cikël ligjëratash për nxënësit shkollave të mesme në kryeqytet  mbi fushë veprimtarinë dhe punën e Agjencisë, raportimin e korrupsionit dhe mekanizmin e luftës kundër korrupsionit në Kosovë.

Ligjëratat me nxënës janë realizuar në vazhdën e aktiviteteve të Agjencisë Kundër Korrupsionit për ngritjen e integritetit personal në mesin e të rinjve dhe janë realizuar në kuadër të projektit "Rinia për drejtësi" që udhëhiqet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR-KS). Ligjërues të tjerë në kuadër të kësaj nisme ishin edhe studentët e Klinikës Juridike Penale të Programit 'Kërko Drejtësi', përfaqësues nga Zyra e Avokatit të Popullit, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Inspektoratit Policor dhe institucioneve tjera të pavarura.

Zyrtari i lartë për hetime dhe bashkëpunim me mekanizmat kundër korrupsionit, z. Gani Nikçi, ka informuar nxënësit e shkollave "Ali Sokoli", "Gjin Gazulli", "Eqrem Qabej" dhe "Sami Frashëri" mbi misionin, mandatin, rolin dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kundër Korrupsionit, praktikat dhe procedurat e punës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, mekanizmit ekzistues dhe aspektet e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve me organizata dhe institucionet tjera.

Nxënësit kanë shfaqur interesim për tema të ndryshme që ndërlidhen me korrupsionin, bashkëpunimin me institucionet e tjera, mënyrat e raportimit të korrupsionit dhe mbrojtjen e informatorëve por edhe aspekte të praktikave të dyshuara korruptive në ambientet shkollore, me theks të veçantë te favoret që pranojnë mësimdhënësit nga nxënësit apo të afërmit e tyre në këmbim të lehtësirave në shkollë dhe notave të pamerituara .